Këngëtarja e njohur e zhanrit folklorik, Shkurte Fejza, ka folur për herë të parë për bashkëshortin e saj, Hajrush Behluli, i cili javë më parë pësoi një aksident.
Fejza, deklaroi se kishte qenë një situatë shumë e rëndë për të, pasi në momentet e para, gjegjësisht për një orë, bashkëshorti i saj ishte pa vetëdije.
“Fillimisht ka qenë shumë e rëndë, sidomos ora e parë e fatkeqësisë, pasi Hajrushi ishte pa vetëdije. Kjo ka qenë shumë e rëndë për ne. Mirëpo, pastaj gjërat ndryshuan, sepse Hajrushit iu kthye vetëdija dhe u qetësuam pak”, deklaroi ajo.
Fejza gjithashtu potencoi se aksidenti ishte i rastësishëm, përkundër polemikave të shumta.
“Të gjithë ata që po na ndjekin, dua të theksoj se aksidenti ka qenë i rastësishëm, përkundër atmosferës së krijuar asokohe. Pastaj, të nesërmen edhe familja erdhi në spital për ta vizituar Hajrushin dhe gjithashtu kërkuan falje, pasi këto janë gjëra që ndodhin”, potencoi ajo mes tjerash.
Ndryshe, vlen të theksohet se javë më parë, hoxhë Shefqet Krasniqi kishte shkaktuar bujë në medie, pasi kritikoi këngëtaren Shkurte Fejza për mos-predikimin e fesë islame, deklaratë kjo që shkaktoi reagime nga emra të shumtë, përfshirë edhe nga vetë burri i këngëtares, Hajrush Behluli, që kritikoi hoxhë Krasniqin.