Gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë Xhavit Ferizi (Raketa), ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-truprojë i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe djali i Hashim Thaçit, Endriti. Ai ka thënë se “Raketa” ishte njëri nga njerëzit më të dashur për familjen e tyre.
“Ishte i pandashëm me babin plot 30 vjet. Ishte një prej njerëzve më të dashur të familjes. Do të jetosh përjetësisht në kujtimet tona, Raketë!”, ka shkruar ai.
Ferizi ishte nga fshati Plluzhinë.
Për vdekjen e tij kanë njoftuar njerëzit e afërt me të ndjerin.
Milaim Cakiqi mik i ngushtë i ish-presidentit Thaci ka shkruar se Raketa e ka fituar çdo betejë, në luftë e në paqe. “Por, jo edhe betejën me kancerin. Do të më mungojnë shumë muhabetet e orëve të vona, Raketë. Do të na mungosh të gjithëve, vëlla! Fatkeqësisht, vdekja na ndau! U prehsh në paqe Xhavit FERIZI, mik i mirë dhe besnik!”, ka shkruar ai.