Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për numrin e çerdheve të ndërtuara përgjatë mandatit të saj.
Nagavci gjatë një interviste ka thënë se gjatë periudhës trevjeçare sa e ka drejtuar Ministrinë e Arsimit, janë 850 për qind çerdhe më shumë të ndërtuara se sa në periudhën 2003-2020.
“Janë në proces, janë finalizuar katër çerdhe, kemi 18 çerdhe që janë në proces të ndërtimit, janë pesë çerdhe që janë adaptuar, pra objekte ekzistuese që i kemi adaptuar për çerdhe. Janë 20 në proces sepse edhe dy janë tenderuar tashmë dhe nëntë objekte që janë në proces të adaptimit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Bajrami ka thënë se Nagavci i ka bërë “kërrsh” përqindjet.
“Këta a janë analfabetë funksionalë apo na trajtojnë të gjithëve si të tillë?! Ministrja Nagavci paska thënë më KTV se gjatë mandatit të saj janë ndërtuar 850% më shumë çerdhe se gjatë viteve 2003-2020, sipas saj i bie që prej vitit 2003 deri në vitin 2020 në Kosovë është ndërtuar një gjysmë çerdhe, kjo mandej e ka rritë numrin për 850%, pra prej 1/2 tash janë bë 4. Për besë s’di njeri a me qeshë a me qajtë. 160 çerdhe i kanë premtuar brenda mandatit”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Deklaratës së Nagavcit i ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, e cila e ka quajtur si mashtrim dhee përpjekje për manipulim.
“Nëse i referohemi situatës me ndërtimin e çerdheve të reja, nëse e shohim në përqindje, çerdhet e reja gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes janë për 850 për qind më shumë sesa që janë realizuar gjatë periudhës 2003-2020”. Me 4 çerdhe të ndërtuara gjatë mandatit të qeverisë Kurti, edhe një 3 vjeçar me njohuri bazike të matematikës do ta dinte që deklarata e ministres Nagavci është e paskatë. Është mashtrim. Është përpjekje delitanteske për manipulim. Në fakt, propaganda dhe mashtrimi është fusha e vetme ku kjo qeveri merr notë kaluese”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.