Presidentja Vjosa Osmani foli për rezultatet e bashkëpunimit me SHBA-në në një konferencë për media pas takimit me Ndihmës Sekretarin amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.
Osmani tha se në disa nga sukseset më të rëndësishme në Kosovë ka dorë Byroja që e udhëheq zyrtari i lartë amerikan që erdhi për vizitë në Kosovë.
“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheq Ndihmës Sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo tha se Ndihmës Sekretarit i tregoi edhe për synimin e vendit për t’u anëtarësuar në INTERPOL, gjë që tha se “do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“I nderuar Ndihmës Sekretar Robinson, Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin me partnerët tanë më të çmuar, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti byroja që ju udhëheqni. Uroj që të vazhdojmë t’i shohim rezultatet e partneritetit tonë dhe punës sonë të përbashkët ditë pas dite, e gjithnjë në drejtim të sukseseve të reja. Ju faleminderit për përkrahjen e palëkundur dhe gjithmonë shiheni Kosovën si shtëpinë tuaj të dytë”, i tha Osmani në konferencë Ndihmës Sekretarit amerikan.
Presidentja tha paraprakisht se “mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të shtetndërtimit tonë”.
“E në këtë drejtim, edhe mbështetja që kemi pranuar nga Byroja që udhëheq Ndihmës Sekretari Robinson shquhet për kohëzgjatjen, dinamikën si dhe shumëllojshmërinë e asistencës, përmes së cilës janë themeluar e fuqizuar mekanizmat tanë kryesorë për sundimin e ligjit në Kosovë. Ndihmës Sekretari Robinson ka qenë natyrisht ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut gjatë viteve. Përderisa vinim këtu, më tregonte edhe se si ka punuar me Sekretaren Albright dhe kjo është një dëshmi se sa shumë njerëz ka edhe sot në administratën amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tëra që Kosova të jetë këtu ku është sot. E natyrishëm ndër ta është edhe vetë ambasadori Hovenier”, tha Osmani.
Ajo kujtoi se “Kosova u detyrua që të filllonte nga zeroja”, dhe se me ndihmën e SHBA-së arriti suksese të mëdha, ndërsa përmendi edhe sundimin e ligjit, që tha se është prioritet i institucioneve.
“Këto suksese janë të gjitha edhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me partnerë, janë rezultat i bashkëpunimit tonë me partnerë të rëndësishëm, siç është Byroja, e natyrisht dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
DTV