Pa marrëveshje i përfunduan takimet kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, që u mbajtën për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi prej shkurtit dhe që synon ta largojë dinarin serb nga përdorimi në vend.
Zëvendëskryeministri i Kosovës foli për dallime të mëdha pas takimit, ndërsa përmendi një takim shtesë, që po raportohet se do të mbahet më 4 prill.
“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi.
Ai nuk pranoi të japë detaje për propozimet.
“Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.
Si Bislimi, ashtu edhe Petkoviq i cilësuan propozimet e tyre si konstruktive dhe të balancuara.
Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan pa sukses në Bruksel edhe në fund të shkurtit. Në atë takim shkoi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.