Drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se përgjatë vitit 2023, policia është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, ndonëse shtoi se situata e përgjithshme në territorin e Kosovës vlerësohet të jetë e qetë.
“Situata e përgjithshme në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje, situata e sigurisë edhe më tutje mbetet e brishtë. Policia gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient komples të sigurisë marrë për bazën dinamikën e kërcënimeve të sigurisë siç janë incidentet kriminale, sulmet terroriste, protesta të dhunshme e kërcënimet hibride. Vlen të përmenden disa prej rasteve më të rënda kriminale përgjatë vitit 2023. Sulmet më datën 26 maj të vitit 2023 ndaj policisë, qytetarëve dhe gazetarëve, sulmi më datë 29 maj ndaj policisë e pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë kufitar me datë 14 qershor dhe sulmi terrorist në Banjskë ndaj policisë së Kosovës”, u shpreh Hoxha.
“Përgjatë vitit 2023, policia ka menaxhuar mbi 500 protesta vetëm në pjesën veriore të Kosovës, raste të shumta të kontrabandës dhe krimit transkufitar, rasti i grabitjes në Suharekë, rasti i vrasjes në fshatin Bernicë, shkatërrimi i laboratorëve të drogës dhe të prodhimit të kriptovalutave”, tha Hoxha.
Megjithatë, Hoxha tha se policia e Kosovës përkundër sfidave, ka arritur të menaxhojë me sukses situatën e sigurisë në vend.
“Policia e Kosovës përkundër sfidave ka arritur me sukses të menaxhojë situatën e sigurisë dhe ka përmbushur misionin e saj duke garantuar rendin dhe sigurinë publike në gjithë territorin e Kosovës”.