/

Irani konfirmon vrasjen e një oficeri të Gardës Revolucionare në Siri

Irani ka konfirmuar vdekjen e një anëtari të Gardës Revolucionare Islamike në Siri pas sulmeve ajrore për të cilat ka fajësuar Izraelin.

Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, raportoi më 26 mars se Behruz Vahedi, anëtar i Forcës Kuds të Gardës Revolucionare, u vra gjatë sulmeve të dyshuara ajrore izraelite në Deir al-Zor, në lindje të Sirisë.

Mediat e afërta me Qeverinë siriane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për këto sulme ajrore. As SHBA-ja e as Izraeli nuk kanë komentuar për këtë ngjarje.

Më herët, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me seli në Mbretërinë e Bashkuar – tha se gjatë sulmeve u vranë 13 persona, përfshirë 12 anëtarë të Gardës Revolucionare që nuk ishin sirianë.

Të paktën 11 anëtarë iranianë të Gardës Revolucionare u vranë në sulmet e dyshuara në Siri dhe Liban në nisje të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë në tetor.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gazë në përgjigje të sulmit të Hamasit. Afër 1.200 persona, shumica civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe afër 250 të tjerë u rrëmbyen. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë mbi 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Aleatët rajonalë të Iranit – që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin ‘Bosht të rezistencës’ – kanë sulmuar interesat izraelite dhe amerikane në Lindjen e Mesme pas nisjes së luftës në Gazë. Megjithatë, grupet e armatosura kanë reduktuar sulmet e tyre ndaj bazave amerikane pas një serie sulmesh të kryera nga SHBA-ja në shkurt.

Sulmet në Siri ndodhën disa orë para se shefi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, arriti në Teheran për takime me zyrtarët iranianë, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Gjatë një konference për media ai tha se rezoluta e miratuar më 25 mars nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për armëpushim në Gazë tregon se Izraeli po përjeton “një izolim të paprecedent politik”.

Garda Revolucionare i shkoi në ndihmë presidentit sirian, Bashar al-Assad më 2013, gjatë luftës civile siriane. Qindra komandantë dhe oficerë të Gardës, që Irani i përshkruan si “këshilltarë ushtarakë” besohet se janë në Siri. Irani ka një rrjet të madh të milicive në këtë shtet arab, që përbëhen kryesisht nga luftëtarë shiitë afganë dhe pakistanezë. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.