Kosovari vdiq në aksidentin e rëndë në Itali, Ferrari po shkonte 200 km/h – flet vëllai i tij

Një kosovar nga kantoni Vaud i Zvicrës, DJ me profesion, vdiq tragjikisht në një aksident të rëndë me Ferrari të dielën në Italinë veriore.

Vetura u copëtua, copat u shpërndanë dhe flakë të mëdha u panë në autostradë. Mediat italiane shkruajnë se Ferrari GT C4 i bardhë kishte qenë duke lëvizur me mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe është përplasur në anësore.

Zjarrfikësve iu desh mjaft mund që ta nxirrnin kosovarin e vdekur nga vetura.

Mediumi zviceran, Blick shkruan se 40-vjeçari të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes – ishte në një klub nate në kantonin e Valais dhe pas performancës ishte nisur me Ferrari për në Itali.

Vëllai i tij 41-vjeçar ka konfirmuar se vetura i përkiste atij.

“Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

Vëllai i kosovarit të vdekur në aksident nuk e di se si ndodhi, kush po e drejtonte veturën dhe kush ishte viktima tjetër – një grua sipas mediave italiane.

“Për momentin nuk kemi marrë shumë informacion nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani kujdeset për gjithçka”. Gjithçka që ai di është se një test i ADN-së po pritet të bëhet.

Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi është i komplikuar pasi ata u dogjën në veturën që mori flakë. Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve përmes analizës së ADN-së.

Vetë vëllai i kosovarit që vdiq sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por tani po udhëton për në Zvicër, siç i tha Blick të hënën. “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”.

DTV

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.