Emisari i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë një përmbledhje për javën që lamë pas. Ai ka thënë se java para festës së Pashkëve ka qenë e shkurt por intensive.
Lajçak ka shkruar se të hënën ka pritur në takim kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia.
“Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zv/ministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviq, për të vazhduar diskutimet në gjetjen e një zgjidhje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.
Ai tha se ky ka qenë një takim i dobishëm, derisa shtoi se në fund janë pajtuar që të ketë edhe një takim të enjten.
Lajçak shkroi se shpreson që do të kapërcehet dallimet e mbetura.
“Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë dallimet e mbetura të enjten.”
DTV