Përurohet Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku edhe me Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizin, bëri përurimin e Repartit të Pediatrisë.

Aty u mirëprit nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtores së Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Laura Nushi, së bashku me Drejtorin e Repartit të Pediatrisë, Qenan Çabra dhe stafi shëndetësor. Së bashku vizituan ambientet e reja të repartit.

Për funksionalizimin e tij janë shpenzuar rreth 1 milion euro, prej të cilave rreth gjysma e shumës është donacion nga shoqata “Nëna Terezë”, që operon në Gjermani me udhëheqës Shaqir Gashi dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit”, me udhëheqësin Halil Kastrati.

Nga investimi i përgjithshëm diku rreth gjysma e investimit është për infrastrukturë dhe inventar, ndërkaq gjysma tjetër përafërsisht është për pajisjet moderne mjekësore.

Reparti ka 11 dhoma, dhomë për mjekim intensiv dhe 25 shtretër për hospitalizim. Reparti i vjetër kishte vetëm një dhomë me shtatë shtretër.

“Është kënaqësi dhe nder për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me ministrin tim të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, që te jemi sot këtu në Mitrovicë, me rastin e inaugurimit të Repartit të Pediatrisë i cili ka qenë i bllokuar që prej 8 vitesh me një projekt përkatës që më në fund u realizua siç është më së miri e më së mbari” tha kryeministri Kurti pas ceremonisë.

Ai tha shtoi se reparti do të ketë pajisje moderne mjekësore, të teknologjisë së fundit të cilat garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësitë më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë pacientëve.

Objekti i ri, krahas infrastrukturës së re, do të ofrojë edhe shërbime të reja që përfshijnë shërbimin radiologjik dhe atë të spirometrisë, si dhe me aparaturën moderne do të mund të realizojë të gjitha analizat e nevojshme laboratorike për pacientët e këtij reparti.

Ushtruesja e Detyrës së Drejtores së Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, u zotua që më funksionalizimin e pediatrisë si një zgjidhje e një nyje 8 vjeçare, fëmijët e Mitrovicës do të marrin shërbime shumë më cilësore me angazhim dhe përkushtim maksimal të personelit shëndetësor.

Kryeministri Kurti shoqërohej nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Armend Muja dhe Arjeta Fejza.

Leave a Reply

Your email address will not be published.