Prokuroria kërkon dënimin e ish-deputetit të LDK-së dhe të akuzuarit tjetër për keqpërdorim të votave

Prokurori special Ilir Morina në gjykimin ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkumbin Gashit dhe Sylë Balajt, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka kërkuar dënimin e tyre, kurse mbrojtja lirimin.

Gashi dhe Balaj po akuzohen për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori special Ilir Morina fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën e ka elaboruar duke prezantuar edhe disa fotografi të të akuzuarve, përmes llaptopit.

Sipas tij, pas shqyrtimit të të gjitha provave, në mënyrë të plotë është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë, se të akuzuarit në bashkëkryerje me të akuzuarit tashmë të dënuar kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ai tha se ky grup ka manipuluar me 71 vota të cilat më pastaj janë dorëzuar përmes Stacionit të Autobusave në Pejë, e të cilat më pas janë dorëzuar në Austri, e të cilat tha se i kishte marrë Shpëtim Shala, duke i dorëzuar fillimisht në Postë e pastaj në KQZ.

Sipas prokurorit Morina, në ditën kur ishte dorëzuar qanta në stacion të autobusave, kishte pasur 163 thirrje mes Shkumbin Gashit dhe Kastriot Blakajt.

I njëjti tha se gjykata gjatë vlerësimit të provave si rrethana rënduese të kenë parasysh motivin e kryerjes së vepres penale dhe shkallën e lartë të pjesëmarrjes dhe të dashjes për kryerjen e veprës penale.

Prokurori special ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, dhe rrjedhimisht të mbrohet edhe demokracia.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Kurmehaj avokat, Sylë Balaj tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nga Prokuroria Speciale përveç leksioneve për demokraci s’ka asnjë fakt apo provë tjetër. Lidhur me pretendimet e prokurorisë për 63 telefonatat mes të akuzuarit Shkumbin Gashi dhe Kastriot Blakaj, avokati Kurmehaj tha se si ka mundësi që të dihet numri i telefonatave e jo arsyeja dhe përmbajtja e këtyre telefonatave.

Sipas tij, edhe në demokraci është legale dhe legjitime të mbeshtetet një kandidat në fushatë zgjedhore dhe se nuk ka asnjë provë që i mbrojturi i tij ka qënë organizator i kësaj vepre.

Ai tha se as dëshmitarët e Prokurorisë Speciale nuk kanë përmendur të mbrojturin e tij se ai kishte tentuar t’i telefonojë apo të votojë në emër të tyre.

“Nuk e di nëse në Kod Penal ka ndonjë dispozitë që dënon përkrahjen e një kandidati”, ka thënë avokati Kurmehaj, duke propozuar që ndaj të akuzuarit Gashi gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Gashi avokati, Xhafer Tahiri, tha që Prokuroria Speciale me asnjë fakt nuk arriti të vërtetojë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

“Prokuroria Speciale na paraqet një foto që nuk i është bërë ndonjë ekspertizë, për tu vertetuar autenticiteti i fotos apo koha se kur është bërë. Nëse do t’i bëhej ekspertizë do të vërtetohet se kjo foto nuk është bërë në atë vend ku prokurori po pretendon, as koha se kur është bërë e as nga kush. Kjo fotografi nuk duhet të përdour si provë përderisa s’bëhet ekspertizë”, tha avokati Tahiri.

Po ashtu, i njëjti ka ngritur dyshime mbi pranimin e zarfave nga prokuroria, pasi që sipas tij këto zarfe prokuroria thotë që i kishte marrë në KQZ, ndërsa prokurori kishte thënë se i ka marrë në polici.

“Pretendimin e Prokurorisë se Sylë Balaj ka plotësuar fletëvotimet dhe kjo shihet në foto, e rrëzon ekspertiza pasi që në ekspertizë thuhet se nuk janë gjetur shenja të gishtrinjëve të të mbrojturit tim në fletëvotime. Prokuroria ka dështuar ta vërtetoj se ka fakte për dënimin e të mbrojturit tim”, tha tutje avokati Tahiri.

Ai tha se pranimi i fajësisë nga të bashkëakuzuarit e tjerë në këtë çështje juridike nuk mund të merret si dëshmi ashtu siç pretendoi prokuroria t’i paraqesë, pasi që Kodi Penal garanton prezumimin e pafajësisë dhe pranimi i fajit të një personi nuk nënkupton që personat e tjerë që janë në aktakuzë janë fajtorë.

Kurse të akuzuarit Gashi dhe Balaj, kanë mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Ndryshe, në seancën e 2 shkurtit 2024 pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Gjevukaj, ndaj tij gjykata kishte veçuar procedurën penale, pasi që bëhej fjalë për një vepër tjetër penale.

Më 31 janar 2023, ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari Milot Balakaj ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.

Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë. Balaj, në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

I akuzuari Dardan Blakaj, në seancën e 24 prillit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 11 muaj burgim me kusht, për akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Ndërsa, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, Tahir Shala ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muaj burgim me kusht, për keqpërdorim të votave.

Kurse, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Kastriot Blakaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 24 muaj burgim me kusht.

Më 8 gusht 2023, i akuzuari Shpetim Shala kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me që rast ishte dënuar me 11 muaj burgim me kusht.

Aktakuza ndaj Shkumbin Gashit, Kastriot Blakajt, Shpëtim Shalës, Tahir Shalës, Milot Blakajt, Dardan Blakajt, Sylë Balajt dhe Kushtrim Gjevukajt ishte ngritur më 29 dhjetor 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Gashi si kandidati i LDK-së për deputet, në bashkryerje me Kastriot, Dardan dhe Milot Blakaj, Shalën dhe Balajn kishin votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetonin në Austri, prandaj me këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale:“Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.

Kurse i akuzuari tjetër Gjevukaj, thuhet se përmes kanosjes i kishte shkaktuar frikën Agim Abdylit, andaj ngarkohet për veprën penale “Kanosje”.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.