4 muaj burgim ndaj të akuzuarit për blerje të sendeve të përfituara me vepër penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, Trim Baraku për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, duke e dënuar me 4 muaj burgim efektiv.

Baraku është po ashtu njëri nga të dyshuarit për grabitjen e argjendarisë në Suharekë, në nëntor të vitit të kaluar.

Nga zyra e gjykatësit të rastit, Sabit Sadikaj, kanë bërë të ditur se aktgjykimi ndaj Barakut u shpall të martën.

I akuzuari e kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 29 mars 2024, duke pranuar se i kishte blerë gjërat për të cilat akuzohej.

Ndryshe në këtë rast se bashku me të akuzuarin, Baraku për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, akuzohet edhe Endrit Maxhuni, i cili ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e datës 14 mars 2024 dhe dnaj të njëjtit është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 11 gusht 2022, thuhet se i akuzuari Endrit Maxhuni më 22 dhjetor 2021 rreth orës 11:00 në Prishtinë e kishte blerë sendin-veturën “Opel Astra”, për të cilën ka pasur mundësi ta dinte se është e përfituar përmes veprës penale me një çmim joproporcional-real. Andaj, me këto veprime ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Kurse, në pikën dy të aktakuzës akuzohej Trim Baraku, i cili thuhet se më 16 dhjetor 2021 rreth orës 15:00 në Prishtinë e kishte blerë veturën, një zinxhirë të arit dhe një laptop, me një çmim joproporcional-real.

Andaj, me këto veprime ngarkohej për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, ndaj Maxhunit dhe Barakut është ngritur aktakuzë me kërkesë për shqiptimi të urdhrit ndëshkimor.

Ndryshe, i akuzuari Trim Baraku dyshohet për përfshirje në rastin e grabitjes së një argjendarie në “Suharekë” më 22 nëntor 2023, e për të cilin rast gjendet nën masën e paraburgimit bashkë me të dyshuarit Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli. /Betimi për Drejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published.