/

Dezinformimi, debate mbi nismën e PS për një Komision të Posaçëm parlamentar

Në Shqipëri, parlamenti pritet të ngrejë një Komision të Posaçëm për të koordinuar dhe mbikqyrur veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.

Propozimi i bërë nga shumica socialiste ngjalli debate sot në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. Sipas kërkesës, Komisioni “duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj”, si dhe “të kryejë një analizë të plotë të faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi, në lidhje me transparencën në proceset demokratike, në veçanti të financimeve në fushata zgjedhore si dhe transparencën e financimit të të gjithë të aktorëve apo platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik, apo të ngjashme me to”.

Në bazë të analizës së kryer, Komisioni do të duhet më pas “të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme, nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të trajtuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara”.

Komisioni, sipas propozimit, duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësuesë të mediave tradicionale, të shoqërisë civile por dhe të biznesit për të nxitur një debat të vazhdueshëm mbi këto çështje.

Përfaqësuesit e opozitës, kërkuan më tepër kohë në dispozicion për të patur më shumë informacion e të dhëna mbi nevojën e një Komisioni të tillë, duke ngritur dyshime se gjitha mund të ishte thjesht për konsumin e politikës së ditës, nga ana e shumicës. “Në 2019 ka një rezolutë për ndërhyrjet e huaja dhe janë lënë detyra për institucionet shtetërore. E kanë harruar që e kanë miratuar këtë rezolutë dhe pse 10 institucione do të duhet të paraqisnin një raport për këto çështje. Asnjë institucion nuk ka sjellë raport sepse e kishin një çështje për konsum dite”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi gjatë një konference për shtyp, duke nënvizuar se këtë fakt e kishte bërë të ditur dhe në Konferencën e kryetarëve.

Një ndër referencat që shumica bën në kërkesën e saj është dhe marrëveshja e nëshkruar në tetor të vitit të kaluar me Shtetet e Bashkuara “për përgjigjen kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”. Por zoti Bardhi tha se Parlamenti nuk ka asnjë dijeni rreth tekstit të kësaj marrëveshje, pavarësisht se Qeveria, siç u shpreh ai, e ka për detyrim një gjë të tillë.

Kërkesa për ngritjen e Komisionit vlerëson se duhet “sjellë në vëmendje të të gjthë transmetuesve audiovizivë dhe platformave të tjera mediatike, detyrimet ligjore për të ofruar për publikun, informim të paanshëm dhe objektiv, duke paraqitur me saktësi faktet dhe ngjarjet si dhe duke respektuar lirinë e shprehjes”. Por Kryetarja e Komisionit të medias Flutura Açka, ngriti shqetësim dhe mbi rrezikun që një nismë e tillë, sipas saj, mund të përdorej nga shumica dhe si mjet trysnie ndaj mediave.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi mësohet të jetë shprehur i keqardhur “që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciativë të mazhorancës. Por nuk eshte ky rasti. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nëse ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky. S’mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE”, citohet të ketë thënë zoti Çuçi. /VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.