Visar Azemi i LDK-së i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se LDK po reagon ndaj shifrave që po i publikon ai për rritje ekonomike e investime për, siç tha ai, ta bindin dikë se “rrenat e tyre janë të vërteta”.
“Ministrit të Financave i paska penguar si askujt tjetër shpalosja e fakteve nga LDK sa i përket abuzimit me kontratat njëburimore dhe shkalla e realizimit të investimeve kapitale gjatë vitit 2023. Por LDK që flet veç gjuhën e fakteve, propagandës preferojmë t’i përgjigjemi sërish me fakte. E faktet e mëposhtme i kemi nga të dhënat e Thesarit, pikërisht nga ministria që e udhëheq Hekuran Murati”.
“Meqë Murati preferon krahasimin e ministrive me komuna, le të qëndrojmë pak edhe këtu. Një ministri, ajo e Ekonomisë ka realizuar veç 11% të investimeve kapitale vitin që shkoi. Në përqindje, ministria e Artane Rizvanollit është me keq se shumica e komunave të Kosovës. Me keq se ky dikaster i qeverisë është veç Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi”.
Azemi thotë se nëse nuk qeveritarët s’kanë asgjë që të fshehin rreth kontratave njëburimore, nuk ka pse u pengon një komision hetimor parlamentar.
“Në anën tjetër, sa i përket dallaverave që duken sheshazi me kontratat njëburimore, pse po iu pengon themelimi i komisionit hetimor parlamentar? Nëse s’keni asgjë për të fshehur, pse s’po i çelni letrat? Nëse jeni të pastër, pse s’po ndjeheni komod me u hetu kjo çështje? Ne e dimë pse po ju acarojnë faktet tona. Sepse për 5 ditë pune, keni dhënë së fundi 7 tenderë të negociuar. Mbi 4 milionë euro të tjera i keni dhënë në tavolinë. Pra, keni mbërri në shifrën e 788 kontratave njëburimore apo në vlerën e 213 milionë eurove të dhëna sy me sy. Këto janë faktet. Faktet janë kokëforta. Prandaj dhembin”