Gjykata Supreme ka hedhur poshtë kërkesën e kompanisë ndërtimore “Pro&Co Group”, për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës Komerciale, duke hapur rrugë kështu për vazhdimin e punimeve në “Rrugën A”.
Në Aktgjykimin e Supremes thuhet se aktvendimi i dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, është vendim i drejtë, ligjor dhe i arsyetuar mjaftueshëm.Në dhjetor të vitit të kaluar, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin aprovuar si të bazuara ankesat e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe O.E “Sallahu” sh.p.k, duke lejuar kështu nisjen e punimeve në këtë rrugë.
Pretendimet e kompanisë janë cilësuar si të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pa argumentuara.
Punimet për ndërtimin e “Rrugës A”, kanë filluar në fund të prillit të vitit të kaluar. Në tetor, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale kishte bllokuar punimet.
Lajmin e kishte bërë të ditur vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një shënimi në Facebook.
“Të dashur qytetarë, sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema)”, kishte njoftuar Rama.
Ai kishte thënë se vendimi është i ndikuar politikisht duke përmendur emrin e gjyqtares që kishte marrë vendimin, Vlora Pacollit, që është motra e Fitore Pacollit, deputetes së LVV-së.
“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”.
Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, përmes aktvendimit e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Mirëpo, ky vendim ishte atakuar dhe Dhoma e Shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale kishte vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.
“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhej në vendimin e shkallës së dytë.
Kurse, Dhoma e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, më 30 nëntor 2023 sërish e aprovoi si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Ky vendim ishte ndryshuar nga Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, ku ishte vendosur për nisjen e punimeve.
Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin aprovuar si të bazuara ankesat e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe O.E “Sallahu” sh.p.k, duke refuzuar si të pabazuar kërkesn e paditësit “Pro & CO Group” sh.p.k, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të 19 prillit 2023 të OSHP-së.