Avokati, Tomë Gashi pas seancës gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu nga Podujeva ka thënë se seanca ka qenë e mbyllur për media dhe se gjyqtarja e rastit ka urdhëruar që të mos shpalosen detaje më tutje në lidhje me gjykimin.
Gashi ka thënë se ditën e sotme është intervistuar një dëshmitar, ndërsa një tjetër ka mbetur të intervistohet në seancën e radhë.
Seancat e radhës pritet të mbahen më 15 dhe 16 prill.
“Gjykata ka sjellë një vendim që detajet të mos shpalosen. Seancat e radhës janë caktuar për këtë muaj, më 15 dhe 16 prill. Kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje, ndërsa tjetri ka mbetur në seancën e radhës të merret në pyetje”, tha Gashi para mediave.
Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu.
Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.