Studentë e aktivistë bashkë të prirë nga Lëvizja Feministe Studentore kanë protestuar të mërkurën para Rektoratit të UP-së, duke kërkuar shkarkimin e profesorit Xhevat Krasniqi dhe anëtarëve të Këshillit të Etikës.
Aktivistët kanë vendosur pankartat në hyrje të Rektoratit, duke cituar fjalët e profesorit në fjalë:
”Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh” etj.
27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për dyshime për ngacmim seksual.
Anita Mjeku, studente nga Lëvizja Akivisite Studentore, ka thënë se duke e parë që Këshilli i Etikës e ka ngelizhuar rastin, sot janë mbledh për të disatën herë për ta shqyrtuar rastin.
“27 studentë të mjekësisë e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual. Denoncimi është duke ndodhur tash e një muaj. Na tu e pa që Këshilli i Etikës e ka ngelizhuar rastin sot jana mbledh për të disatën herë për me shqyrtu rastin e kërkesat tona janë të qarta, përjashtimin e profesorit Krasniqi nga UP”, ka thënë Mjeku.
Studentja Mjeku ka shtuar se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë derisa të merren masa ndaj profesorit.
“Na kena me vazhdu në qoftë se nuk ndërmerret kurrgjë. Na jena këtu për të 5-ën ditë radhazi. Protestë çdo ditore ku prej orës 8 deri 4 prej fillimit deri në mbarim të orarit të punës jemi para rektoratit me kërkesën për përjashtim të profesorit Krasniqi dhe shkarkim të anëtarëve të Etikës. Nëse sot anëtarët e Këshillit të Etikës nuk marrin vendim për me përjashtu Krasniqin ose të paktën me suspendu atë, deri sa të përfundon procedura kem me blloku daljen e Rektoratit edhe nuk kemi me i lënë me dal prej ndërtesës pa marrë vendim meritor për të”, ka thënë Mjekiqi.
Protestuesit kërkuan përjashtimin e profesorit të rregullt të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.