KMDLNJ: Kosova duhet ta ketë ligjin për amnesti

Komisioni për të drejtat e njeriut në Kosovë në një komunikatë për media mes tjerash ka treguar se si pasojë e mungesës së mëshirës së shtetit ndaj të privuarve nga liria të cilët sipas ligjeve në fuqi në Kosovë nuk përjashtohen nga falja, në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë është rritur numri e vetvrasjeve apo vetlëndimeve.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, kohë më parë votoi Ligjin për Amnesti me propozim të Ministrisë së Drejtësisë nga i cili përfitues të drejtpërdrejtë janë afërsisht 700 të privuar nga liria. Me këtë Ligj pakësohet dukuria e mbipopullimeve të burgjeve në Shqipëri sikur që kursehen mjete të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk e ka mundësinë ligjore të propozojë një Ligj për Amnisti ndonëse asnjëherë nuk ka treguar interesim apo vullnet për këtë ligj përkundër kërkesave të vazhdueshme të organizatave që i monitorojnë institucionet e privimit nga liria dhe njohësve të kësaj çështjeje. Aktualisht në Kosovë vetëm Paneli për Lirim me Kusht ka rezultate në këtë drejtim ndërkaq që mundësia e dytë apo falja nga presidentja është thuaja mision i abortuar dhe i dështuar. Në institucionet e privimit nga liria në Kosovë ka të dënuar me diagnozë terminale ku shteti – burgu, jo që nuk ka mundësi t'i trajtojë por as të sigurojë vdekje pa vuajtje përmes terapisë paliative. Ka të privuar nga liria që mbahen në kundërshtim me të drejtat e njeriut sikur që janë ata me çrregullime të rënda të shëndetit mendor apo vartësit nga mjetet narkotike të cilët, në vend se të mbahen në burg, domosdoshmërisht duhet të dërgohen në institucionet përkatëse shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet: “Me kërkesë të Shërbimit shëndetësorë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, adresohen këto raste te Gjykatat kompetente, të argumentuara mirë por që gjykatat thuaja në asnjë rast nuk i marrin në shqyrtim duke e bërë më të rëndë punën e SHKK si dhe duke e përkeqësuar shëndetin e të privuarve nga liria, jeta e të cilëve më nuk llogaritet me muaj por me javë apo ditë. Si pasojë e mungesës së mëshirës së shtetit ndaj të privuarve nga liria të cilët sipas ligjeve në fuqi në Kosovë nuk përjashtohen nga falja, në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë është rritur numri e vetvrasjeve apo vetlëndimeve. KMDLNj sikur edhe organizatat tjera monitoruese kanë kërkuar që masa e paraburgimit të shqiptohet vetëm si masë e skajshme dhe kjo të zëvendësohet me një masë alternative por se kjo kërkesë po shpërfillet nga institucionet vendimmarrëse. Për këtë arsye, në raportet ndërkombëtare po adresohet ky problem, shqiptimi i masës së paraburgimit, kur duhet dhe kur nuk duhet. Me këtë mënyrë po shpërfillet puna e madhe e SHKK sikur që po demotivohen të privuarit nga liria ta pranojnë programin e risocializimit sepse po mungon një ofertë e qartë dhe e besueshme e shtetit për të privuarit nga liria.

Tash, e vetmja adresë e shpresës për ta fituar lirinë, qoftë edhe të kushtëzuar mbetet Panelu për Lirim me Kusht. KMDLNj mendon se disa kritere që i zbaton ky Panel janë të paqarta dhe nuk janë të matshme sikur që mendon se edhe përbërja e këtij Paneli duhet të ndryshojë duke përfshirë më shumë ekspertë të fushave sociale. Kosova nuk përfiton asgjë duke mbajtur në paraburgim në vend se privimi nga liria të zëvendësohet me një masë më të butë, harxhon mjete të konsiderueshme të buxhetit në vend se t'i kursejë ato, dhe, që është me e rëndësishme, paraburgimi i shpeshtë aspak nuk ka efekt parandalues, nuk e ulë shkallën e recidivizmit apo përsëritjes së veprës penale. Në fund të fundit, kur Kisova të anëtarësohet në Këshill të Evropës pashmangshëm do të përballet me këtë çështje. KMDLNj e ka të qartë se disa vepra nuk mund të falen dhe ndaj kryerësve të tyre shteti duhet të jetë i vendosur por, në anën tjetër ka shumë raste që meritojnë të falen, qoftë duke i liruar apo duke ua shkurtuar dënimin. Kosova duhet të nxjerrë mësime nga përvojat e mira të shteteve tjera sa i përket Ligjit për Amnesti e jo të veprojë siç po vepron tani”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.