Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, në ditën kur një grua u vra në Pejë, ndërsa dorasi dyshohet se është bashkëshorti i saj.
Kryetarja e Këshillit Drejtues, Donjeta Demolli gjatë aksionit simbolik tha se përderisa qeveritarët e presidenca defilojnë nëpër samite paqeje e kompozojnë këngë, një jetë paralele në të cilën gratë përballen me plumba po vazhdon.
“Performancat e simbolikat e qeverisë e presidencës nuk ua kanë ndërru jetën grave për asnjë njësi. Gratë janë vra në vitet e 60’ta, gratë po vriten sot.
Kjo qeveri edhe ky pushtet don me na mbajtë veç si viktima, sepse duke na veshur këtë rol na e kërkon dëgjueshmërinë, për të qenë patronizuese ndaj nesh. Ne e refuzojmë këtë rol dhe luftojmë për barazi”, tha ajo.
Sipas saj, shteti e ka obligim, shteti e ka përgjegjësi ekskluzive mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e dhunës.
“Në shenjë simbolike ne e kemi sjellë një plumb se plumbi e shënon çastin e fundit në jetën e grave të vrara. Ato nuk mund të flasin më, e ne kemi me vazhdu me folë e me luftu”, u shpreh Demolli.