Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka reaguar pas dy rasteve të vrasjes së grave në Kosovë, ku njëri rast ka ndodhur para pesë ditëve në Ferizaj dhe njëri rast ka ndodhur sot në Pejë.
KMDLNj-ja tha se sipas informatave, në të dyja ngjarjet e rënda kishte raste të raportuara të dhunës në familje, që në vrasjen e gruas nga ish-bashkëshorti në Ferizaj kishte filluar procesi i divorcit, kurse në Pejë, autori i vrasjes ishte dënuar me 400 euro gjobë.
“KMDLNj është jashtëzakonisht i shqetësuar për këto krime kundër jetës së njeriut, si e drejta kryesore e njeriut mbi të cilën ndërtohen të drejtat tjera. Është e pamundur të parashihet raste kur kryhet krimi mirëpo në raste të dhunës së përsëritur duhet të ndërmerren masa parandaluese e që, për arsye objektive dhe subjektive nuk bëhen. Pas këtyre vrasjeve të rënda dhe kriminale është krijuar një si rregull që politikanët të reagojnë nga interesi politik, kryesisht por që nuk ndërmarrin veprime të duhura për parandalim të rasteve ndonëse janë në situatë sikur që kanë edhe detyrim ligjor ta bëjnë këtë”.
“Nuk është në dorën e politikanit apo shoqërisë civile që edhe pa filluar hetimet të kërkojnë lartësinë e dënimit për krimet e bëra dhe se kjo është e drejtë, përgjegjësi dhe detyrim i gjykatave kompetente. Është krejtësisht e pamoralshme që mbi një fatkeqësi personale dhe familjare të kërkohen vota, as nga pozita e as nga opozita”, thuhet në reagim.
Më tej, në reagim, KMDLNj tha se duhet t’i bëhet një auditim profesional të gjitha rasteve të dhunës në familje, në mënyrë që sipas tyre, të identifikohen lëshimet eventuale pas së cilave do të kërkohej përgjegjësia penale për rastet që kanë përfunduar me fatalitet apo pasoja të rënda dhe masa të tjera në përputhje me përgjegjësinë eventuale.
“Duhet të përkrahen më shumë qendrat për strehim të viktimave të dhunës familjare, pavarësisht gjinisë. Në nivel lokal, rajonal dhe qendror janë krijuar mekanizma kundër dhunës në familje koordinatore kryesore e së cilave është ministrja e Drejtësisë që mbanë takime të rregullta në nivel qendror me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj gruas por se rezultatet janë të pakta, krejtësisht dekurajuese”.
“Realisht, dënimet e kohëve të fundit për vrasje të femrave janë plotësisht në përputhje me peshën e krimit andaj organet hetuese, prokuroria dhe gjyqësori duhet të përkrahet e jo t’ i bëhet presion publik. Presioni nga palët që nuk kanë qasje në prova dhe shumëherë nuk janë profesionistë të fushës paraqet ndërhyrje të palejueshme në procesin hetimor dhe vendimmarrës”, thuhet më tej në reagimin e KMDLNj-së.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tutje tha se pret që hetimet për këto raste të bëhen në përputhje me ligjet në fuqi dhe pas administrimit të provave nga gjykata, të caktohet përgjegjësia konkrete dhe penale që edhe do të caktojë lartësinë e dënimit.