Të premten e 12 prillit, i gjithë vendi u trondit nga një ngjarje që ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Në njërën nga zyrat e këtij institucioni, Valon Aliu dyshohet se vrau me armë zjarri ish-gruan e tij, Erona Cokli dhe plagosi në krah vëllain e saj, të mitur.
Ditën kur ndodhi vrasja, Valoni kishte shkuar në Qendrën për Punë Sociale që ta merrte djalin e tij. Pas disa orësh ishte kthyer në këtë institucion bashkë me djalin. Dhe pastaj kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të ish-bashkëshortes së tij, duke e lënë të vdekur në vendngjarje dhe duke e plagosur vëllain e saj.
Valon Aliut të shtunën Gjykata Themelore në Ferizaj ia caktoi masën e paraburgimit prej një muaj për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe plagosjes e vëllait të saj, të mitur.
Ai po dyshohet për vrasje të rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas gjykatës, Valon Aliu e goditi disa herë me armë zjarri në kokë ish-bashkëshorten e tij dhe shtiu në drejtim të vëllait të saj të miturit me iniciale D.C., duke e plagosur në krah.
Para trupit gjykues, Valon Aliu deklaroi se pas kryerjes së këtij akti, ka tentuar që të bëjë vetëvrasje, por nuk i kishin mbetur më plumba në karikator.
Valon Aliu ishte emër i njohur për Policinë dhe organet e drejtësisë. Nga Gjykata Themelore në Ferizaj kanë thënë se në vitin 2008 ai kishte qenë i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, rast për të cilin gjykata ia kishte shqiptuar masën edukative – mbikëqyrje e shtuar nga ana e prindit.
Shtatë vjet më vonë, më 5 mars të 2015-ës, Valon Aliu përfundoi sërish në gjykatë, si i akuzuar për lëndim të rëndë trupor. Ani pse Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh që dënimi për këtë vepër të fillojë nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim, në këtë rast, gjykata e dënoi Valoni vetëm me një gjobë prej 1 mijë e 350 eurove.
Nuk shkoi gjatë e Valoni ra sërish ndesh me ligjin. Në vitin 2019, ai u ul sërish në bankën e të akuzuarve për shkak të veprës penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Më 13 shkurt të 2019-ës, gjykata e dënoi atë me 2 muaj burgim me kusht.
Në vitin 2021, Valon Aliu u akuzua edhe për nxitje të akteve seksuale me premtim të rrejshëm për martesë, mirëpo Gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi që Prokuroria Themelore në Pejë ishte tërhequr nga ndjekja penale.
E një vit më vonë, më 2022-ën, ai u akuzua për kanosje, rast për të cilin Gjykata e dënoi me 6 muaj burgim me kusht. Ky aktgjykim u bë u plotfuqishëm më 14 nëntor të 2022-ës, përmes të cilit u vendos se ai nuk do e vuaj këtë dënim, në rast se brenda dy viteve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Ai momentalisht po mbahet në paraburgim, masë e cila iu caktua të shtunën e 13 prillit të 2024-ës, si i dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
DT