Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi me Çmimin e Evropës për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, si dhe përkushtimin ndaj orientimit pro-evropian, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Në njoftimin e publikuar nga Fondacioni, Presidentja Osmani është vlerësuar për qëndrimin politik dhe orientimin e saj të qartë evropian, duke e mbrojtur atë me përkushtim, pavarësisht situatës delikate të sigurisë në rajon dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga Serbia.
Tutje, në njoftim, Presidentja vlerësohet për qëndrimin e saj politik të ndjekur me bindje të plotë ndaj rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, e cila në angazhimin e saj mbështet filozofinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili u nderua me po këtë çmim, 20 vjet më parë.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se laureatët e këtij çmimi përfshijnë personalitete të ndryshme botërore, përfshirë edhe: ish-kancelaren Angela Merkel, ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
DTV