Kryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën në Gjermani është takuar me ndihmës- sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
Kurti lidhur me këtë takim ka shkruar sot në platformën X, gjersa thekson se do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.
“Takova ndihmës- sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, O’Brien dhe ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier. Ne diskutuam rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes bazë.
Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin qendror dhe mbështetjen për Kosovën në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”, shkruan Kurti.
Lidhur me takimin ka shkruar edhe vetë ndihmës- sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
O’Brien ka shkruar se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përparim urgjent në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton Telegrafi.
“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me kryeministrin e Kosovës Kurti sot kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm”, ka shkruar O’Brien.
DTV