Zëdhënësi i Qeverisë i kundërpërgjigjet Stanos: Mungesa e progresit në dialog është shkaku i Serbisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano ,i cili të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.

Kryeziu ka thënë se është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë, megjithatë, sipas tij, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve.

Në një postim në “X”, Kryeziu ka renditur një listë me shkeljet për të cilat thotë se ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po Marrëveshjes Bazë të shkurtit 2023.

Kryeziu ka shkruar se prej atëherë 90 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në veri të Kosovës nga grupet e dhunshme të udhëhequra nga liderët e Listës Serbe në maj të vitit 2023.

“Në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat speciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pavarësisht provave të paraqitura nga institucionet tona të cilat dëshmojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është ndërmarrë kundër Serbisë”, ka shkruar ai ai.

Kryeziu ka përmendur edhe vrasjen e policit, Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, Milan Radoiçiq, lider i grupit të sulmit të shtatorit, i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi planin dhe pjesëmarrjen në sulm, është ende i lirë dhe tani takohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi.

“Këtë muaj, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht dhe keqtrajtuar nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye. Në mesin e tyre ishin edhe 10 oficerë të Policisë së Kosovës, katër të komunitetit serb, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, një kosovar, i cili është shtetas i Britanisë, është duke u mbajtur dhe akuzuar padrejtësisht, por sërish nuk ka sanksione ndaj Serbisë”, ka shkruar ai.

Dje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë, por sipas tij fakti që Kosova dhe Serbia nuk ishin në gjendje ta bënin këtë nuk është për shkak të dështimit të BE-së, por për shkak të dështimit të tyre që nuk e mbajtën fjalën,

“Cilat janë mësimet që kemi mësuar? Ka një mësim të qartë, që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata. Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.

Stano në deklaratën për media tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqitne si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha zëdhënësi i BE-së, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.