Shoqata “Bereqeti” së bashku me Komunën e Prishtinës kanë hapur në kryeqytet Dyqanin e Bamirësisë. Që nga sot, rastet sociale të kryeqytetit mund të pajisjen me produkte të ndryshme nga ky dyqan. Dyqani i Bamirësisë përmban produktet esenciale që nga ato ushqimore dhe deri tek ato higjienike.
Në hapje të këtij dyqani qe i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj dhe drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, znj. Adelinë Sahiti, të cilët falënderuan Shoqatën “Bereqeti” për ndihmat e vazhdueshme dhe për kontributin e tyre të pandalshëm që kanë dhënë për familjet nevojtare jo vetëm në Prishtinë, por gjithandej Kosovës.
Nga ana e tij, drejtori i Shoqatës “Bereqeti” z. Behxhet Ajvazi, falënderoi Komunën e Prishtinës për këtë bashkëpunim, duke shprehur kështu gatishmërinë e tyre si shoqatë që të jenë sa më pranë familjeve nevojtare.
Një familje nevojtare do të ketë një shumë të caktuar, të cilën mund ta shfrytëzojë në këtë dyqan humanitare, varësisht prej nevojave individuale. Ajo mund të zgjedh produktet e nevojshme për familjen.
Dyqani në lagjen Pejton u hap që të jetë sa më afër familjeve me asistencë sociale në kryeqytet. Më anë të këtij dyqani reduktohen shpenzimet e “Bereqetit” dhe ndihmohen më shumë familje.