Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, një mbështetëse e palëkundur e vendit dhe pavarësisë sonë.
Në takim u diskutua dhe rreth marrëdhënieve të fuqishme dypalëshe mes Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar vlerat e përbashkëta dhe lidhjet historike që kanë bashkuar për një kohë të gjatë të dyja vendet.
Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Calmy-Rey për mbështetjen e palëkundur, të cilën e ka treguar që përpara pavarësisë së Kosovës, dhe theksoi ndikimin pozitiv të avokimit të saj gjatë viteve. Ai theksoi gjithashtu se tri vitet e fundit kanë shënuar përparime të mëdha në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë.
Çështjet kryesore të trajtuara gjatë diskutimit përfshinin po ashtu dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në nxitjen e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në integrim evropian.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se ky hap është thelbësor për promovimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës.