Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 122-të, mbajtur më datë 22 prill 2024, ka marrë vendim që Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan të ri-akreditohet në nivel institucional për periudhën pesëvjeçare.
Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti. Për ri-akreditimin e UKZ-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit/alumnit, punëdhënësit si dhe Kryetarët e Komunave të Gjilanit dhe Kamenicës, Kryetarin e Bordit Industrial dhe Këshillin e Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC).
Rektori Dërmaku për Ideksonline falënderoi të gjithë akterët, duke filluar nga studentët, stafi akademik dhe administrativ, anëtarët e Këshillit Drejtues, Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Z. Alban Hyseni, Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Z. Kadri Rahimaj, Kryetarin e Bordit të Këshillit Industrial, Avokatin Arsim Vranovci, Përfaqësuesen e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC), MBA Delvina Vranovci dhe menaxhmentin e UKZ-së për punën e palodhshme në ngritjen dhe avancimin e Universitetit, duke i siguruar të gjithë se edhe pse do të ketë shumë sfida, Universiteti do të zhvillohet, profilizohet dhe do të jetë bartësi kryesor i zhvillimeve jo vetëm në rajonin e Anamoravës por gjithë Kosovës dhe më gjerë.