Sot në pikën doganore te Hanit të Elezit zyrtarët e Doganës parandaluan një tentim kontrabandimi të medikamenteve.
Një automjet me targa kosovare u paraqit për kontroll doganor, derisa drejtuesi i automjetit si dhe bashkudhëtarja në pyetjen e oficerëve doganorë në lidhje me posedimin e mallrave u përgjigjën se nuk kishin mall për deklarim.
Megjithatë, gjatë një kontrolli detaj të automjetit, u zbuluan medikamente të ndryshme të padeklaruara, të fshehura në gomat e rezervës.
Sipas Doganës së Kosovës, llojet e medikamenteve të gjetura përfshijnë:
OZEMPIC 1mg – 45 pako, TRESIBA 5X3 ml – 20 pako, RYZODEG 5X3 ml – 10 pako, NOVOMIKS 5X3 ml – 20 pako, JARDIANCE 10 mg – 20 pako, RYBELSUS 14 mg – 8 pako, RYBELSUS 7 mg – 1 pako, RYBELSUS 3 mg – 1 pako.
Bazuar në këto zbulime, u konstatua se personi fizik ka kryer një kundërvajtje doganore, e cila është sanksionuar sipas nenit 276 të KDAK-së.