Në më pak se dy muaj, Prokuroria Speciale ka intervistuar tre zyrtarë të shtetit, nën dyshimet për vepra që hyjnë te kapitulli i korrupsionit. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar në fund të marsit, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur para prokurorisë muajin e kaluar, derisa zëvendësministri Hysen Durmishi, ka përfunduar intervistimin javën që shkoi. Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur se çfarë po ndodhë me këto raste apo nëse mund të ketë aktakuza së shpejti.
Prokuroria Speciale është aktivizuar javët e fundit lidhur me aferat korruptive, ku dyshohet të jenë përfshirë edhe zyrtarë të shtetit. Rezervat shtetërore, afera financiare në Slloveni e kontratat për rrugën Prishtinë-Podujevë, janë bërë shkak që të ftohen për intervistim Ministrja Rozeta Hajdari, Ambasadori Martin Berishaj dhe zëvendësministri Hysen Durmishi.
I pari është intervistuar Berishaj, që mban pozitën e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci. Për aferën financiare në Slloveni ku dyshohet se është përfshirë Berishaj, është raportuar fillimisht para dy vjetësh. Por, i njëjti është paraqitur para Prokurorisë tek më 29 mars të këtij viti.
Pas intervistimit të tij, Prokuroria doli me një njoftim ku bëri me dije se ai është ftuar për shkak të dyshimeve për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.
Në të njëjtin njoftim, Prokuroria kishte bërë me dije se ai ishte ftuar edhe më herët për intervistim.
“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, kishte sqaruar Prokuroria.
Se si është mbrojtur para Prokurorisë nuk dihet, meqë as Berishaj e as avokati i tij, Tomë Gashi, s’janë deklaruar pas intervistimit.
“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund te ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, kishte deklaruar Gashi.
Rreth dy javë pas Berishajt, në Prokurorinë Speciale është paraqitur për intervistim Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, lidhur me rezervat shtetërore.
Prokuroria bëri me dije se ajo është intervistuar në cilësinë e të pandehurës nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me rezervat shtetërore.
Në njoftimin e Prokurorisë u tha se ajo është mbrojtur në heshtje,
“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, thuhej në njoftim.
E për mbrojtjen në heshtje, Hajdari tha një arsye para gazetarëve.
“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet”, deklaroi Ministrja.
Nuk dihet nëse Ministrja ka bërë kërkesë që të paraqitet në Prokurori për t’u përgjigjur.
Vitin e kaluar janë arrestuar tre persona, dy prej të cilëve pjesëtarë të Ministrisë, si të dyshuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Prokuroria kishte bastisur edhe zyret e MINT-it dhe kishte konfiskuar prova materiale në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Bastisjet dhe arrestimet në MINT kishin ardhur pas publikimeve të disa audio-incizimeve, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Njejtë pretendohej se ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Një zyrtar tjetër i Qeverisë Kurti ka dalë para Prokurorisë Speciale, javën që shkoi. Bëhet fjalë për zëvendësministrin Hysen Durmishi, i cili është ftuar në cilësinë e të dyshuarit lidhur me kontratat për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Pas përfundimit të intervistimit, Durmishi tha se u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që ia ka drejtuar prokurori dhe se ka sqaruar “pastërtinë e plotë në gjithë këtë proces”.
“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë. Kryesisht, kjo fazë është fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje punimet po zhvillohen me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në një farë mënyre sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, ka deklaruar Durmishi para gazetarëve.
Kur i kishte shkuar ftesa, Durmishi kishte reaguar në Facebook, ku e kishte cilësuar si të pakuptimtë.
“Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit…Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”, kishte shkruar Durmishi.
Shefi i tij, Ministri Liburn Aliu, i ka dalë në krah, duke thënë se Durmishi është “i pastër”.
“Po, jam takuar me zëvendësministrin Durmishi pasi e ka mbaru intervistën tek prokurori. Është intervistu në cilësinë e të dyshuarit dhe është intervistu si rezultat i një kallëzimi penal nga ana e një operatori ekonomik lidhur me kontratën (për rrugën) Prishtinë – Podujevë. Unë konsideroj që zotëri Durmishi në këtë pikë ashtu siç është deklaru, është i pastër, veprimi i tij pra kur e dëshmon edhe vlerësimi të themi nga OShP-ja” – ka deklaruar Aliu.
Kontrata për të cilën janë ngritur dyshime Durmishit është nënshkruar në kohën kur kishte ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, gjë që është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Gazeta Express ka pyetur Prokurorinë Speciale lidhur me këto raste dhe nëse mund të pritet aktakuzë për ndonjë prej tyre së shpejti, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë ndonjë përgjigje.