Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka akuzuar qeverinë Kurti se nuk ka punuar në lehtësim të procesit të votimit nga diaspora, siç parashihet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Ndonëse ka hyrë në fuqi ky ligj nëntë muaj më parë, Tahiri ka thënë se në vend të 50 centëve për votë, sërish diaspora duhet të paguajë nga 70-80 euro.
“Votimi jashtë vendit për vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora vazhdon të manipulohet duke e penguar zbatimin e Ligjit për zgjedhje të përgjithshme i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar.
Janë bërë 9 muaj që kur ky ligj ka hyrë në fuqi e nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të mundësuar votimin e vëllezërve dhe motrave tona sipas këtij ligjit. Deri tani nuk ka asnjë informatë asnjë marrëveshje ndërshtetërore për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në Ambasada siç thotë ligji. Ligji i ri kërkon që të krijohet një kuti postare ku diaspora do të mund të votojë dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 50 centë të shkonin në atë kuti që do të ambalazhohej nga Ambasada e do të menaxhohej nga KQZ-ja në mënyrë që vota të vijë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.