Krerë institucional e përfaqësues të partive politike kanë përkujtuar masakrën e Dubravës, ku 25 vjet më parë pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani kujtoi masakrën e burgut të Dubravës theksoi se kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik , të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.
“Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë për ta mbrojtur të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi.
Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!”, shkruan presidentja.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se masakra në Dubravë shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb
Haradinaj ka thënë se kjo masakrës si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik.
“Nga 19 e deri më 22 maj 1999, shteti serb kreu një akt të përgjakshëm dhe të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë. Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, ka thënë lideri i AAK-së.
Haradinaj ka shtuar se ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar.
“Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën “22 Maji” në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012. Edhe pse këto masakra janë nga ngjarjet më të dokumentuara, me emër e mbiemër, askush nuk është gjykuar për krimet e kryera. Ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar”, është shprehur kryetari i AAK-së.