Kryetari i Partisë Demokraitke të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar ndaj miratimit të rezolutës për Srebrenicën në OKB.
Krasniqi tha se krimi i gjenocidit mori emrin dhe dënimin e tij të vertët e global.
Tutje ai theksoi rëndësinë urgjente për njohje dhe dënim të ngjashëm ndërkombëtar të krimeve të kryera edhe në Kosovë.
“Sot, krimi i gjenocidit mori emrin, trajtimin dhe dënimin e tij të vërtetë në nivel global. Sot, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, u shënua një hap i rëndësishëm në njohjen e mizorive që ndodhën në Srebrenicë 29 vite më parë. Miratimi i Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë dërgon një mesazh të qartë: krimet e luftës dhe kundër njerëzimit nuk mund të injorohen dhe as të harrohen – përkundër kohës që kalon”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Tutje ai ka shtuar se sot mbi 8 mijë viktima që u vranë mizorisht përgjatë 10 ditëve, si dhe familjet e tyre, gjetën sadopak prehje.
“Është e domosdoshme që akte të tilla kriminale, të nxitura nga urrejtja dhe qëllimet makabre, të etiketohen pa mëdyshje për atë që janë dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Sot, Srebrenica, mbi 8 mijë viktima që u vranë mizorisht përgjatë 10 ditëve, si dhe familjet e tyre, gjetën sadopak prehje. Derisa e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë Rezolutë, rikujtojmë rëndësinë urgjente për njohje dhe dënim të ngjashëm ndërkombëtar të krimeve të kryera edhe në Kosovë. Mizoritë e kryera nga Serbia në Kosovë kërkojnë të njëjtin nivel vëmendjeje dhe dënimi nga komuniteti global”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.