Sot përfundon regjistrimi i popullsisë edhe për komunat në Kosovë të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.
Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.
Edhe në katër komunat e Veriut, në objektet e komunave zyrat kanë qenë të hapura nga ora 09:00-18:00.
Në periudhën sa është shtyrë regjistrimi, intervistat janë zhvilluar nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Ndryshe, nga këtu regjistrimi i Diasporës do të vazhdojë të bëhet përmes Platformës online eDiapsora (https://ediaspora.rks-gov.net/) deri më 31 gusht 2024.
Pas javës së parë të regjistrimit sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ishin regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.
Referuar po kësaj periudhe kohore për diasporën ishte kaluar numri mbi 400 mijë që janë regjistruar në formën online.
Sipas zyrtarëve të ASK-së kualiteti i të dhënave në këtë regjistrim do të jetë shumë më i mirë se në vitin 2011.
Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe njohës të ekonomisë thonë se vendi ka nevojë për evidencë të mirëfilltë të qytetarëve dhe nga ky regjistrim presin të ketë përmirësim në aspektin ekonomik në vend, hartim të politikave më efektive në investime e po ashtu edhe realizim të të drejtave të qytetarëve.