Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë kanë mirëpritur raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës në lidhje me Projektligjin e ri për komisionin e pavarur për media.
Nëpërmjet këtij raporti, ekspertët e Këshillit të Evropës i kanë rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të nisë hartimin e një drafti të ri të Projektligjit për KPM-në.
Zyra e BE-së në një postim në Facebook ka theksuar se “duhet bërë më shumë punë për t’u siguruar që drafti nuk do të cenojë pavarësinë e KPM-së dhe që të mos krijojë jokonsistencë ligjore.
Gjithashtu bëhet thirrje që të konsultohen edhe mediat me qëllim që rekomandimet të vërehen në draftin e ri.
Këtë rekomandim e ka mirëpritur kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili ka thënë se raporti i Këshillit të Evropës konfirmon shqetësimet e AGK-së për Ligjin e ri të KPM-së.
“Bashkimi Evropian në Kosovë dhe OSBE-ja mirëpresin raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, që konfirmon shqetësimet e AGK-së dhe akterëve të tjerë për Ligjin e ri të KPM-së, dhe i rekomandon kuvendit të nisë së hartuari një draft të ri”, ka thënë ai.