Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në takim profesoreshën Vjollca Konjufca, ligjëruese në Programin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Southern Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zyra e Kryeministrit njoftoi për takimin, ku tha se u bisedua për “mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit në shëndetësi me theks në punën hulumtuese-shkencore” e “u vlerësua potenciali për rritje të shkëmbimeve të dijes, përvojës dhe kulturës së punës me profesionistët nga mërgata”.
“Duke vlerësuar përvojën akademike dhe profesionale të profesoreshës Konjufca, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e saj për ta ndihmuar sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Profesoresha Konjufca e falënderoi Kryeministrin për takimin dhe shprehu gatishmërinë e saj për bashkëpunim profesional e shkencor”, njoftoi ZKM.
Sipas ZKM-së, në takim u tha se “arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet, dhe se për ta ngritur cilësinë dhe për të përmirësuar kushtet arsimore, Qeveria ka rritur buxhetin e arsimit edhe në këtë vit”.
“Po ashtu buxheti për shëndetësi është ngritur për mbi 100 milionë euro, ndërsa janë ndarë 60 milionë euro për listën e re të barnave esenciale dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna për sëmundje të rralla Duke biseduar për imunizim, u theksua pesëfishimi i buxhetit për vaksina për parandalim dhe sigurimi i vaksinave të reja të rëndësishme, siç është ajo e HPV, që parandalon kancerin e qafës së mitrës. Profesoresha Konjufca theksoi se si kjo vaksinë ka ndikuar dukshëm në rënien e incidencës së kancerit në ShBA. Kryeministri uroi diskutime të frytshme shkencore në ligjëratën që do të mbahet nesër në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku profesoresha Konjufca bëri të ditur se mes tjerash do të informojë edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Southern Illinois në ShBA”, thuhet në njoftim.