Grupi i parë i besimtarëve do të niset këtë të diel për të kryer haxhin.
Sipas njoftimit të BIK-ut, përgatitjet veçse kanë filluar dhe për këtë vit janë 1576 besimtarë që do të udhëtojnë për në haxh.
Njoftimi i plotë:
Këshillat e Bashkësisë Islame anekënd Kosovës kanë filluar përgatitjet për nisjen e besimtarëve tanë për në haxh. Në të gjithë Këshillat e BI-së, nga përgjegjësit e këtyre Këshillave, besimtarët myslimanë, që këtë vit kanë vendosur ta kryejnë haxhin, janë duke i marrë edhe këshillat dhe mësimet e duhura se si duhet të kryet ky ritual.
Me udhëzimet për durim, forcë dhe sakrificë, ata janë duke u përgatitur për ta kryer edhe kushtin e pestë të Islamit – haxhin. Karshi mësimeve dhe këshillave, në të gjithë Këshillat e BI-së është duke u organizuar edhe duaja e haxhit, në të cilën besimtarët lusin të Madhin Zot që t’u japë shëndet e t’ua pranojë adhurimet e haxhit.
Këtë vit nga Kosova për ta kryer haxhin do të udhëtojnë 1576 besimtarë, ndërsa grupi i parë i besimtarëve parashihet që të udhëtojë më 2 qershor 2024.