Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka komentuar miratimin e rekomandimit për avancim të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Quni ka thënë se integrimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike është artikulim që nga ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Kjo çështje është ngritur shumë vite para luftës, që nga artikulimi që e ka bërë presidenti historik Ibrahim Rugova, gjithnjë është ripërsërit gjatë okupimit kur e kemi arritur lirinë, e po ashtu edhe kur u shpall pavarësia e Kosovës. Do të thotë është meritë e tërë spektrit, të gjitha personaliteteve, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet ta përshëndesim të gjithë së bashku”, ka thënë ai.
Sipas tij, avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s është një mundësi e mirë për sigurinë nacionale.
“Është përshëndetur nga i tërë spektri politik i Kosovës, po ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga fakti se tani edhe zëri jonë do të dëgjohet në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Është një mundësi e mirë që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë nacionale, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, të trajtohen në raporte bilaterale, por edhe në tërësi me autoritetet dhe përfaqësuesit e NATO-s, për të gjitha çështjet që na takojnë ne, por edhe vetë organizatën politiko-ushtarake të NATO-s”, ka thënë ai.
Kujtojmë se në takimin e Asamblesë që u mbajt në Sofje të Bullgarisë, shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.