Një vit pas sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Osmani: Grupet ishin të organizuara me urdhër nga regjimi i Vuçiqit, mosndëshkimi duhet të marr fund

Të mërkurën, më 29 maj janë bërë një vit nga sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan nga grupe të organizuara të serbëve, ku u lënduan më shumë se 90 pjesëtarë.

E sot, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se siç dëshmohet qartë nga pamjet video dhe hetimet kriminale të kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit, 93 ushtarë u plagosën, disa me lëndime të rënda, përmes sulmeve nga grupet e krimit të organizuar serbë me urdhra të qarta politike nga regjimi i Vuçiqit dhe krerët e bandës së tij.

“Autorët, të cilët ende janë të lirë në Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi! Mosndëshkimi vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia”, shkruan Osmani në X.

Ajo tutje thekson se ky ishte një sulm kundër NATO-s dhe ata që e urdhëruan dhe e ekzekutuan dihen qartë.

“Mosndëshkimi duhet të marrë fund! Të gjithë ua detyrojmë ushtarëve të rinj që humbën gjymtyrët dhe jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë, sepse ata vendosën jetën e tyre në vijën e paqes, sigurisë së të gjithë qytetarëve”, tha e para e shtetit.

DTV

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.