ZPS: Dëshmitari i 69-të dhe vëllai i tij u arrestuan dhe keqtrajtuan nga persona që mbanin krah shirita të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 69-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili është me masa mbrojtëse dhe ka kodin W01336 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori Cezari Mihalçuk i cili tha se dëshmitari së bashku me vëllain e tij është arrestuar në një vend pranë Prishtinës nga persona të cilët kanë mbajtur fasha krahu të UÇK-së e të cilët më pas “i keqtrajtuan”.

“Dëshmitari 01336 bashkë me të vëllain u arrestuan më 14 qershor 1999 në një vend pranë Prishtinës  nga një grup personave të armatosur që mbanin disa fasha krahu të UÇK-së. Të dy këta burra i lidhen, ua lidhën sytë, i rrahën dhe i quan në një shtëpi aty pran ku i keqtrajtuan. Më pas, i quan në një shtëpi tjetër që nuk ishte shumë larg nga vendi i mëparshëm dhe i vendosen në bodrumin e asaj shtëpie. Shkurtimisht, më pas atje quan një viktimë të tretë. Të tre burrat i morën në pyetje dhe i rrahën”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

Më pas, prokurori tha se dëshmitari së bashku me dy të ndaluarit e tjerë kishte arritur të arratiset dhe kishin kërkuar ndihmë nga KFOR-i.

“Më 15 qershor 1999, pasi i kishin rrahur për shumë orë, dëshmitari me numër 01336 bashkë me dy të ndaluarit e tjerë arritën të arratiseshin dhe  kërkuan ndihmë nga KFOR-i”, tha prokurori duke kaluar më pas për pyetjet e tjera në sesion privat për publikun.

Përpara kësaj, prokurori kërkoi që të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse të pranohen si prova materiale, gjë e cila është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues.

Vlen të theksohet se kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër orë që një prej tyre është e ndarë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtësin e viktimave dhe dy orë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Në fillim të seancës, kryegjyqtari njoftoi se Krasniqi ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë fizikisht në sallën e gjyqit dhe është duke e ndjekur përmes video-lidhjes, ndërsa tre të akuzuarit tjerë janë të pranishëm.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.