Kandidati i Frontit për Ndryshim, Arbër Pajaziti, ka shpallur fitoren si kryetar i Bujanocit, pas zgjedhjeve që u zhvilluan të dielën.
“Faleminderit qytetarë të komunës së Bujanocit. Faleminderit plot 3371 herë për të gjithë ju që votuat Frontin për Ndryshim, që besuat në këtë rrugë e cila shpie drejt një të ardhme më të mirë. Faleminderit për 10.800 shqiptarë të komunës së Bujanocit që votuan për njërën nga 4 listat tona si motra në këto zgjedhje. Faleminderit Ju që përshkuat me mijëra kilometra nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë votën në atdheun tuaj. Bashkëvendas që punoni përkohësisht në Kosovë, faleminderit për mundin e treguar”, ka shkruar Pajaziti.
Pajaziti ka falënderuar edhe rivalët e tyre politik, për frymën demokratike gjatë fushatës, por edhe ditën e zgjedhjeve.
“Ju komisionerë, Ju ishit heronjtë tanë. Aktivistë dhe simpatizantë, angazhimi i Juaj është për çdo lëvdatë dhe meriton falënderime të panumërta. Falënderime edhe për rivalët tanë, të cilët si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, zgjodhën frymën demokratike të veprimit. Bashkombas të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbinin tuaj!”, ka theksuar ai.