Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik KEK’u ka nënshkruar kontratën e 16’të njëburimore me të njëjtën kompani.
“Vazhdon korrupcioni me kontrata njëburimore. Sot, me 3 qershor, 2024 sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Korporta Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë.”
Ajo ka shkruar se të premten me të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë prej 448 mijë e 251 euro, ndërsa kontrata tjetër që është publikuar sot është në vlerë prej 443 mijë e 638 euro.
“Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 Euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. Dmth. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë njëburimore merr afër 900 mijë euro.”
Bajrami ka thënë se ky “është korrupcion serioz qeveritar”, derisa ka shtuar se “Artane Rizvanolli dhe Albin Kurti duhet të deklarohen për këto kontrata”.