Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ) ka reaguar ndaj arrestimit të Tefik Mehmetit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar, ditë më parë.
“Rasti i është dorëzuar Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë. Pas arrestimit ishte një reagim kryesisht politik i institucioneve të Kosovës ndonëse deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i informuar qytetarët e Kosovës për rrezikun e të kaluarit nëpër Serbi për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës, në çfarëdo forme. Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë korale, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet MPJD-ja, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Sipas KMDLNJ-së, qytetarët shqiptarë që po arrestohen nuk kanë asnjë mundësi të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut, as nga Kosova e as nga Serbia, prandaj mungojnë informatat për trajtimin e tyre dhe realizimin e të drejtave të njeriut, si persona të privuar nga liria.
“Gjithashtu, kanë probleme për sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore. Në anën tjetër, shtetasit e Serbisë që mbahen në qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese vizitohen pa asnjë pengesë nga autoritetet kosovare dhe trajtimi i tyre është 100% në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për persona të privuar nga liria. Duhet të krijohet një mundësi që shtetasit kosovarë që aktualisht janë në burgjet e Serbisë të vizitohen nga monitorues të pavarur sikur që edhe shtetasit e Serbisë që mbahen në burgjet e Kosovës, gjithashtu të vizitohen nga monitorues të pavarur. Në të kundërtën gjithmonë do të krijohet një mundësi dhe hapësirë për spekulime nga pozita e përfitimit politik. Serbia po e shfrytëzon arrestimin shtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb, të dyshuar për krime lufte për të arrestuar dhe keqtrajtuar shqiptarë të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi”, thuhet ndërkaq në reagim.
KMDLNj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi dhe të shfrytëzojnë rrugët tjera, sepse Serbia ka mundësi të pakufishme të sajojë prova për kriminalizimin e tyre.
“Në rrethanat aktuale, asnjë shqiptar që udhëton nëpër Serbi nuk ka siguri se nuk do të keqtrajtohet, gjobitet apo privohet nga liria. Pastaj, ndonëse nuk kanë kryer asnjë vepër penale, duhet të shpenzojnë dhjetëra e dhjetëra mijëra euro për ta rifituar lirinë apo për ta paguar dorëzaninë”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.