Një ekip i mjekëve nga Turqia do të realizojnë intervenime kardiokirurgjike te fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjnë ekzaminime kardiologjike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Elvir Azizi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë mirëpritur sot në QKUK ekipin e mjekëve kardiokirurgë dhe kardiologë të fëmijëve nga Turqia, në kuadër të misionit “Muntada Aid”.
Prezentë ishin edhe këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Elizabeth Gowing, dr. Ramush Bejiqi, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, dr. Violeta Grajqevci, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë Shkëndije Nuza dhe dr. Shpejtim Shurdhiqi, u.d. i drejtori të Klinikës së Kardiokirurgjisë.
Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, falënderoi organizatën “Muntada Aid” dhe ambasadorin Hargreaves për mbështetjen, duke shtuar se ky mision është një mundësi e mirë që fëmijët e Kosovës të përfitojnë intervenime në zemër, pa pasur nevojë të dalin jashtë vendit.
Ambasadroi i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, u shpreh i lumtur që ky mision humanitar po realizohet dhe që po përfitojnë fëmijët e Kosovës.
Në emër të ekipit, foli dr. Ibrahim Cansaran, i cili po ashtu, shprehu kënaqësinë që kanë mundësinë të ndihmojnë fëmijët e Kosovës.
Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që të përfitojnë eksperiencë edhe stafi vendos i mjekëve dhe infermierëve.