Autoriteti i Konkurrencës shqiptoi 1.5 milionë euro gjobë sektorit të telekomunikimeve, më 2023

Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti e ka shqyrtuar raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e këtij autoriteti, Naime Binaku-Isufi, gjatë raportimit në Komisionin për ekonomi, tha se vitin në vitin 2023, AKRK-ja ka ndërmarrë hapa tejet të rëndësishëm për të mbrojtur dhe promovuar konkurrencën e ndershme në tregjet në gjithë vendin.

“Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar hetime të shumta, janë ndërmarrë masa administrative, vendime për ndalimin e përqendrimit, si dhe janë forcuar bashkëpunimet ndërinstitucionale për të siguruar një mjedis ekonomik, konkurrues dhe të drejtë në vendin tonë”, tha Binaku-Isufi.

Në prezantim të raportit ajo deklaroi se janë 33 raste që afektojnë tregun në vend.

“Kemi bërë përqendrimet e ndërmarrjeve, 33 raste të ndryshme gjatë vitit 2023, nga sektor të ndryshëm që afektojnë tregun e Republikës së Kosovës, përqendrimet sipas sektorëve i kemi ndarë, në sektorin e telekomunikimeve kemi shqiptuar gjobë prej 1.5 milionë euro, vendimin për ndalimin e përqendrimit si edhe vendimin për fillimin e procedurës hetimore në fushën e metaleve dhe minierave dhe industrisë përpunuese në tregun gjeografik të Kosovës pastaj kemi kaluar edhe në tregun e shërbimeve të IT-së, tregu i produktit është prodhimi dhe përpunimi i xhamit”, shtoi ajo.

Pas prezantimit të raportit nga Binaku-Isufi, në mbledhjen e Komisionit është zhvilluar një debat i ashpër mes deputetes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, dhe kryetares së AKRK-së, Naime Binaku-Isufi, shkak i prezencës së drejtorit, Selajdin Beqa, ai ka aktakuzë për konfliktin fizik me zyrtarin Shemsi Elezi.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se sa i përket raportit ka abuzime që nuk përputhen me ligjin.

“Me shqetësoi fakti se në punën e juaj të përditshme, ka akuza e diktaturë dhe nuk përputhen me ligjin. Mendoj që abuzimet që u përmenden nuk shkojnë në favor të një përformance të mirë për çka jeni zotuar në fillim”, tha Lekaj.

Ndërsa, drejtori i AKRK-së, Selajdin Beqa, iu përgjigj kritikave të deputetëve, duke thënë se po akuzohen për gjëra që nuk kanë ndodhur.

“U ngritën çështje nga deputetja dhe nuk mund të toleroi që të qëndrojë në këtë tavolinë që akuzohemi për gjëra të pa bëra. Ka gjëra edhe imagjinare, unë jam i gatshëm të flas për çdo çështje. Autoriteti ka ndryshuar për të mirë”, deklaroi Beqa, para anëtarëve të komisionit.

Gjatë mbledhjes u formuan edhe grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.