Përplasje verbale ka pasur sot në mbledhjen e Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti, mes deputetes Valentina Bunjaku, drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa dhe deputetit të VV-së, Driton Hyseni.
“Në nëntor, Selajdin Beqaj, i akuzuari që është këtu ka rrahur Shemsedin Elezin dhe po të njëjtin më 19 dhjetor e ke emëru drejtor. Me çfarë baze dhe a keni qenë në njohuri për skandalin që ka ndodhur në autoritet”, pyeti Bunjaku.
Më pas, kur drejtori ndërhyri derisa deputetja po fliste, ajo iu drejtua ashpër.
“Ti mos fol se je i akuzuar, shuj. Ti rri shuj qaty. Me ty s’jam tu fol, mbylle gojën…Nuk e la me fol të akuzuarin”, tha Bunjaku.
“Deputete e ke hap Kutinë e Pandorës, ta kesh parasysh. Kemi me i shku deri në fund kësaj pune”, ia ktheu më pas Beqaj Bunjakut.
Ajo kishte përplasje edhe me deputetin e VV’së, Driton Hysenin, pasi ai i tha se “rri skutave”.
“Po du me shpenzu diskutimin për raportin vjetor. Mandej thellohu ti në detajet që i dëgjon qoftë kafeve, qoftë skutave që rrin ti”, tha Hyseni.
Bunjaku i reagoi ashpër dhe i kërkoi ta tërhiqte fjalën.
“Kush rrin skutave, cfarë po fol palidhje. A s’po të vjen marrë, a spo të vjen turp. Kërko falje edhe tërhiqe fjalën,. Qysh i thu një gruaje po rri skutave…Këqyrni gratë e juve ka po ju rrijnë”, tha Bunjaku.