Dëshmitari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë në Hagë ka thënë se raportin e Dick Marty-t e konsideron si përpjekje të Serbisë dhe Rusisë për të kriminailzuar luftën e UÇK-së.
“Kam dëgjuar. Këtë raport e konsideroj që është raport joreal, është përpjekje e Serbisë dhe Rusisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të UÇK-së. Është e saktë (shënjestër e hetimit ishte Thaçi). Është akuzuar UÇK-ja për trafikim organesh, që ishte një aktakuzë qesharake dhe shumë e paqëndrueshme. Kjo ishte një gënjeshtër”, ka deklaruar dëshmitari.
Më pas, Mishetiq u kthye sërish tek libri i Bytyçit, në të cilin ai kishte përshkruar përpjekjet e tij për të marrë mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës që të përgatisë dokumentare për luftën e UÇK-së.
“Në libër ju thoni: Më vjen keq të them por Zyra e ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kabineti qeveritar i Kryeministrit Ramush Haradinaj si udhëheqës të luftës çlirimtare, nuk kanë sponsorizuar asnjë projekt për film-dokumentar edhe pse unë kam dorëzuar si skriptën ashtu edhe kërkesën zyrtare. Unë kam dorëzuar disa skripta dhe kërkesa për mbështetje financiare për këto projekte shumë të rëndësishme në institucionet tona”, ka deklaruar Mishetiq.
Ai citoi të thuhej në libër se kryesisht i kishte dorëzuar në Qeverinë e Kosovës, por fatkeqësisht nuk ekanë mbështetur siç duhet.
“Në vitin 2008 dhe 2009 unë kam dorëzuar një kërkesë tek Qeveria e Thaçit për mbështetjen e filmit dokumentar për rrugëtimin e Kosovës drejt çlirimit, por nuk kam marrë mbështetje. Shuma e kërkuar ishte shumë minimale, ishte vetëm 14 mijë euro, por përderisa u kërkua që të zvogëlohet më tepër, ky insistim nuk m’u duk serioz dhe nuk pranova”, ka thënë Mishetiq.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ka dashur ta paraqes gjendjen reale se sa ofrojnë mbështetje institucionet e Kosovës për të pasqyruar historinë e Kosovës.
“Është e vërtetë. Kam dashur ta paraqes gjendjen reale se sa institucionet e Kosovë si kanë mbështetur projektet e mia, por edhe projektet e kolegëve të tjerë që pasqyrojnë historinë tonë më të re shumë të dhimbshme të popullit tonë, andaj kam shkruar ashtu siç është”, ka deklaruar ai.
Më pas, Mishetiq lexoi fragmente nga libri i Nuhiut ku ai përshkruante periudhën kur kishte planifikuar që të bëhej drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), e që nuk e kishte marrë mbështetjen nga Thaçi në kohën kur ky i fundit ishte Kryeministër.
“Në libër ju keni shkruar: Sa i takon kërkesës për t’u bërë drejtor i RTK-së, Hashimi më dha kundërshtimin e tij mua. U largova shumë i zhgënjyer për Hashimin, sjellja e tij ishte injoruese, mosmirënjohëse për sakrificat e mia gjatë luftës dhe për mbështetjen e medias që i kisha dhënë atij dhe shokëve të tij në momentet e tij më të vështira dhe më sfiduese kur kishin pak mbështetës. Pavarësisht, gjithë mbështetjes që i kisha dhënë Hashimit dhe shokëve të tij që prej periudhës së çlirimit si dhe pas periudhës se çlirimit, unë e dija se nuk isha shumë i përshtatshëm për Hashimin dhe miqtë e tij sepse ata nuk mund të manipulonin mua për interesat e tyre të përditshme. Mbështetja e mëhershme për atë dhe shokët e tij ishte si rezultat i prejardhjes politike të luftës çlirimtare dhe nuk ishte mbështetje që do të donte të thoshte që të mbështetej manipulimi i tyre ndaj të tjerëve”, ka lexuar Mishetiq.
Ai më pas, pyeti dëshmitarin se a ishte i mërzitur me Thaçin lidhur me mënyrën se si e kishte trajtuar ai kërkesën e tij për t’u bërë drejtor.
“Me insistimin e disa miqve të mi dhe kolegëve të mi unë aplikova për drejtor të RTK-së. Ta them të drejtën edhe atëherë e dija se nuk mund të zgjidhesha sepse politika kërkon njerëz më fleksibil e më të dëgjueshëm si çdo politikë si atëherë edhe sot. Unë e kam shpreh një realitet…”, ka deklaruar dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e Mishetiq.
Ai shtoi se nuk ka pas ndjesi negative ndaj Thaçit në kohën kur e ka shkruar librin dhe sipas tij nuk është gazetar që mban inate.
Me kaq përfunduan kundë pyetjet e avokatit Mishetiq për të vazhduar më pas me ato të mbrojtjes së Kadri Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson.
Dëshmitari tha se gjatë kohës që Veseli nuk ishte në Kosovë bënte detyrën e vet për t’i informuar vendet aleate për zhvillimet në Kosovë, por që tha që nuk di detaje të tjera.