Dëshmitari Bytyçi: Dje prokurori më shqetësoi me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në media

Nuhi Bytyçi edhe ditën e sotme po e vazhdon me dhënien e dëshmisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai tha se dje prokurori Matt Halling e ka shqetësuar me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në media.

Madje, ai tha se në mediat e Kosovës është shtrembëruar dëshminë e tij gjatë ditës së djeshme në sallën e gjyqit. Megjithatë, dëshmitari i 71-të shtoi se duhet të bëhet kujdes që të akuzuarit të mos ndëshkohen në bazë të informacioneve të pa verifikuara.

“Unë kam pushuar pak sepse dje prokurori Halling me shqetësoi me disa informacione të pa verifikuara nëpër mediat e ndryshme për të cilat unë nuk kisha njohuri deri me dje. Prandaj, iu lus që të fokusoni punën time si gazetar, në ngjarjet që kam ndjekur unë dhe në informacionet e konfirmuar nga unë. Dje, për shembull në mediat në Kosovë doli nga dëshmia ime, nga një pjesë e dëshmisë sime doli se janë vrarë dhjetë mijë civil serb. Unë kam deklaru që janë vra mbi dhjetë mijë civil shqiptar. Gabimet e tilla mund t’i bëjnë edhe gazetaret edhe mediat. Prandaj, të keni kujdes që njerëzit që janë të akuzuar të mos ndëshkohen në bazë të disa shkrimeve apo informacioneve të paverifikuara”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk janë thënë.

“Dëshmitar, ju lutem përpiquni të përgjigjeni pyetjet që ua bën prokurori. Në qoftë se ka ndonjë problem me pyetjet vendos trupi gjykues nëse do të bëhet pyetja. Ne gjithashtu nuk e kontrollojmë se çfarë boton shtypi. Shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk i kemi thënë as ne. Kështu që ju lutem, me aq sa të mundeni përpiquni që t’i përgjigjeni pyetjes që zgjedh të bëjë prokurori”, tha Smith III për të vazhduar më pas pyetjet prokurori.

Ndryshe, ditën e djeshme dëshmitarit iu prezantuan disa tituj të mediave ndërkombëtare në të cilët flitej për një incident në Bardhin e Madh në të cilën shkruhej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin marrë në kontroll një minierë të thëngjillit në fshatin Bardh i Madh dhe se kishin marrë peng nëntë minatorë serbë.

Për këtë pati kundërshtime mbrojtja e të akuzuarve duke thënë se ky incident nuk është përmendur fare në aktakuzë dhe se Prokuroria po përpiqet t’i përfshijë të akuzuarit në një incident të tillë.

Nuhi Bytyçi tha se një dokument i tillë nuk iu është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vë në lajthitje para trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dokumenti që m’u prezantua këtu për Mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh nuk më është prezantuar deri në këtë moment gjatë bisedave me prokurorin Matt. Ky është një provokim i papranueshëm për mua që të qes në lajthitje përpara trupit gjykues dhe opinionit. Atë dokument, për herë të parë unë e pash sot”, tha dëshmitari.

Vlen të theksohet se në këtë zonë, dëshmitari kishte bërë xhirime ku ishin të pranishëm edhe të akuzuarit kur kjo zonë ishte nën udhëheqjen e UÇK-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published.