Zemaj uron ambasadoren Smith për nominimin si nënsekretare e Çështjeve Politike në Departamentin e Shtetit

Ambasadori i Kosovës për marrëdhëniet me NATO, Astrit Zemaj, ka uruar ambasadoren Julianne Smith, e cila është nominuar për rolin e nënsekretares së Shtetit për Çështjet Politike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se do të propozojë ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, për një pozitë kyçe në Departamentin e Shtetit.

Roli i nënsekretarit të Shtetit për Çështjet Politike ka qenë pa një zyrtar të konfirmuar që prej 12 marsit, kur Victoria Nuland kishte dhënë dorëheqjen.

Smith ka thënë për mediumin Politico, se nominimi është një “nder i jashtëzakonshëm”.

“Ndërsa Senati mendon nominimin tim, fokusi im mbetet drejtë në punën këtu brenda Aleancës NATO”, ka shtuar ajo.

Për këtë, ambasadori i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, teksa e ka uruar ambasadoren Smith, ka shprehur nderimin dhe mirënjohjen ndaj saj.

“Duke uruar me zemër Ambasadoren! Pas konfirmimit që pritet nga Senati i SHBA-së, ambasadorja Julianne ‘Julie’ Smith, e cila aktualisht është në pozitën e Përfaqësueses së Përhershme të Shteteve të Bashkuara në NATO, do të jetë Nënsekretare e Shtetit për Çështjet Politike. Ju jam jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e pakursyer gjatë këtyre tre viteve të punës dhe bashkëpunimit tonë të shkëlqyeshëm në NATO. Ka qenë nder i madh!”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published.