/

ShSKUK synon t’i monitorojë mjekët me inspektorë të brendshëm

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Elvir Azizi, ka thënë se në vazhdën e ndryshimit që do të ndodhë në sistemin shëndetësor në vend, do të përfshihet edhe krijimi i një divizioni që do të merret me cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Azizi ka thënë se me këtë ndryshim, synohet që të ulet numri i pacientëve që referohen nga spitalet regjionale për në QKUK.

Drejtori i ShSKUK-së ka thënë se nga vizitat në spitalet regjionale, janë vërejtur një efikasitet i ulët në ofrimin e shërbimeve shëndetësore atje, andaj e konsideron urgjente ndërhyrjet në këtë sistem.

“Tanimë në statut, i cili aktualisht jemi me një kontest gjyqësor. Në statutin e ri është themeluar një departament për çështje shëndetësore në të cilin ekziston një divizion për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, për mbikëqyrjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Kjo njësi, përveç që do të merret me hartimin e procedurave standarde operative dhe algoritmeve të ndryshëm se si duhet të kryhet një shërbim shëndetësor, do të merret edhe me mbikëqyrjen e këtyre e shërbimeve apo cilësisë. Si ofrohen këto shërbime. Kjo nënkupton, nëse mund ta bëj një paralele sikur Policia e Kosovës me Inspektoratin Policor. Pra edhe ne do ta kemi një inspektorat të brendshëm i cili do të mbikëqyr se në çfarë mënyrë ofrohen shërbimet shëndetësore brenda institucionit tonë”, tha Azizi.

“Prej ditës së parë, jam i vetëdijshëm i një problemi të tillë, ajo nuk është sekret. Bile në punën e vet, Bordi i ShSKUK-së gjatë vizitave të tij në spitalet regjionale, ka vërejtur një efikasitet të ulët në ofrimin e shërbimeve shëndetësore atje. Kështu që si detyrë edhe prej Bordit po edhe ne si Menaxhment kemi vendosur që të ballafaqohemi me këtë problematikë, kështu që i kemi evidentuar shumë shërbime, të cilat do të mund t’i shpërndanim në të gjithë Kosovën, në mënyrë që edhe të ofrohen (shërbimet) më pranë regjionet ku ata banojnë por në anën tjetër edhe ta ulim presionin prej QKUK-së”, ka thënë tutje ai per EO.

Azizi ka përmendur edhe themelimin e listave të shërbimeve të obliguara ose të garantuara nga ana e shtetit. Kjo sipas tij, nënkupton që edhe QKUK-ja por edhe spitalet e përgjithshme regjionale duhet ta kenë një listë të shërbimeve të cilat janë të garantuara për t’i ofruar popullatës të atij regjioni apo në QKUK.

“Kjo nënkupton që fatkeqësisht në Kosovë akoma nuk kemi sigurime shëndetësore, kështu që i gjithë financimi i sektorit publik shëndetësor bëhet nëpërmjet grantit qeveritar. Kjo nënkupton që e gjithë puna e stafit qoftë shëndetësor, qoftë mbështetës shëndetësor, bazohet në një grant qeveritar i cili është dhënë për tu ofruar një numër i shërbimeve shëndetësore të caktuara. Tani aktualisht jemi në përfundim të listës së shërbimeve të garantuara, për të cilët pacientët dhe profesionistët shëndetësor, të gjithë do ta kenë në mënyrë transparente se cili shërbim duhet të jepet patjetër në institucionet tona e cili jo”, thotë Azizi, teksa përmend edhe një shërbim me kosto goxha të lartë, siç është rrezatimi “Gamma Knife”, metodë që trajton tumoret e trurit pa nevojë për ndërhyrje kirurgjike.

“Ka mjaftë shërbime të cilat nuk jepen. Tash për momentin e kemi një problem q[ nuk është madhor por është shërbim shumë i shtrenjtë, e që është rrezatimi me ‘Gamma Knife’ (metodë që trajton tumoret e trurit pa nevojë për kirurgji), për të cilën kemi kërkesa të mjaftueshme prej Neurokirurgjisë por edhe prej Onkologjisë, është një pajisje që kushton 3 milionë e gjysmë euro dhe numri i pacientëve nuk është aq i madh që me ‘la barra qiranë’. Kështu që shërbime të tilla do të ketë në vazhdimësi sepse nuk mundemi me specializu komplet Qendrat e Republikës së Kosovës për të gjitha shërbimet. Edhe në perëndim e keni të ngjashëm, në secilin shtet ekzistojnë qendra të specializuara për ndërhyrje të ndryshme, mirëpo qëllimet tona është që t’i rrisim gjithmonë e në vazhdimësi sa më shumë gamën e shërbimeve të cilat i ofrojmë ne në QKUK e po ashtu në spitalet rajonale”, u shpreh Azizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.