Kryeministri Albin Kurti e priti sot në takim Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, i cili po ashtu është edhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti e vlerësoi miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, ku edhe rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.
“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”.
Duke e falënderuar Kurtin për takimin, Suljagiq shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.